·        Zëdhënësja Laura Vorpsi denoncon emërimin në krye të Konvalishencës në Durrës të personit që është në gjykim për shpërdorim detyre, si shkelje standardi dhe presion ndaj drejtësisë

TIRANE – Partia Demokratike denoncon emërimin në krye të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, të një personi që është në gjykim për shpërdorim detyre. 

Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi deklaroi se Roni Shqopa është marrë i pandehur nga drejtësia për shpërdorim detyre dhe aktualisht është nën proces gjyqësor (ne foton poshte dokumenti i bere publik sot nga Vorpsi). 

 

Deklarata e plotë e zëdhënëses Laura Vorpsi

Edi Rama e nisi detyrën duke hartuar një kod etike për funksionimin e qeverisë, por ai vetë është në praktikë një shkelës i përsëritur i etikës.

Cili është kodi etik që ka përdorur Edi Rama me emërimin e Roni Shqopës, në detyrën e drejtorit të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, ose siç njihet ndryshe Konvalishenca e Durrësit, kur ky i fundit është marrë i pandehur nga drejtësia për shpërdorim detyre dhe aktualisht është nën proces gjyqësor.

Teksa pritet seanca e radhës e gjyqit, që është vendosur me datën 9 të këtij muaji, qeveria e Edi Ramës i ka dërguar një sinjal të fortë edhe gjykatës duke e emëruar të pandehurin, drejtor në Ministrinë e Brendshme.

Ky është një skandal i rëndë dhe një shkelje me të dy këmbët e standardeve më minimale të një shteti.

Edi Rama jo vetëm nuk pret fjalën e drejtësisë, por i bën asaj presion duke i imponuar mbështetjen e hapur kryeministrit për një ta pandehur.

Me Edi Ramën ka rënë në fakt çdo lloj standardi etik dhe moral në qeverisjen e vendit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/