Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka nisur vizitën zyrtare në Parlamentin Europian, aty ku nesër pritet të zhvillojnë edhe një protestë.
Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, janë takuar sot me eurodeputetët Sandro Gozi dhe Oihane Agirregoitia Martínez, përfaqësues të grupit parlamentar “Renew Europe”. Lajmi është bërë i ditur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
“Nisëm sot takimet në Parlamentin Europian me z. Sandro Gozi, eurodeputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane, dhe znj. Oihane Agirregoitia Martínez, përfaqësues të grupit parlamentar ‘Renew Europe’.
Informimi i plotë mbi situatën në Shqipëri ishte në fokus të bisedës, me dy mbështetës të të ardhmes europiane të Shqipërisë. Është e paimagjinueshme për çdo mik europian të Shqipërisë, që të perceptojnë se vendi ynë, edhe pse vend kandidat për në BE, ka ekzekutuar shtetin ligjor, ka asgjesuar balancën mes pushteteve, dhe ka eleminuar zgjedhjet e lira.
Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ndërkohë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe vendet e kandidatëve për deputet në listën e PS, pushteti i kriminalizuar i Edi Ramës synon asgjesimin e opozitës përmes burgosjeve politike të lidershipit të opozitës, duke na rikthyer 34 e më shumë vjet pas dhe duke vënë në pikëpyetje serioze demokracinë”, thuhet në një reagim të kreut të Grupit Parlamentar të PD-së.”- shkruan Bardhi.