6 janar 2014 – Partia Demokratike me anë të një deklarate për mediat ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në shtëpinë e kreut të PD së Pogradecit, duke e cilësuar atë një akt kriminal. Përmes zëdhënëses së saj Laura Vorpsi PD i ka kërkuar policisë dhe drejtësisë zbardhjen e menjëhershme dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

"Partia Demokratike dënon aktin kriminal ndaj kryetarit të Partisë Demokratike në Pogradec, Luan Lipo dhe i kërkon policisë dhe drejtësisë të veprojnë me shpejtësi për të zbardhur ngjarjen e kapur autorët. Partia Demokratike e konsideron shpërthimin e granatës në derën e shtëpisë së kryetarit të PD-së së Pogradecit, ku e gjithë familja e tij ishte prezent, si shenjë të pasigurisë së madhe publike, të rritjes së kriminalitetit në vend, dhe të lehtësisë me të cilën goditen përfaqësuesit e opozitës. Partia Demokratike është në krah të z. Lipo dhe të familjarëve të tij, që janë tronditur jashtë mase nga kjo ngjarje e rëndë.

Qëkur ka ardhur në pushtet, kjo qeveri ka krijuar dhe nxitur një klimë agresiviteti ndaj opozitës. Kërcënime në parlament, dhe dhunë shtetërore e kriminale ka pasur vazhdimisht në këto muaj ndaj demokratëve, zyrtarëve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike. I bëjmë thirrje qeverisë të heqë dorë nga skenari i kërcënimit të kundërshtarit politik, pasi ky është një skenar me pasoja të rënda për vendin. I bëjmë thirrje Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë të reagojnë shpejt dhe me forcë, për të vënë para përgjegjësisë autorët e këtij akti kriminal ndaj kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Pogradec, dhe familjes se tij", u shpreh Vorpsi.