Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur këtë të hënë në selinë blu Kryesinë e partisë dhe grupin e ish-deputetëve. Basha ka porositur demokratët se në protestën e 13 prillit pjesëmarrja duhet të jetë më e madhe se dy protestat e tjera. 

"Kemi të gjithë situatën në favor. Ne jemi de fakto shumica. Që pas djegies se mandateve, PD ka një rritje të menjëhershme edhe mes të pavendosurve. Jemi shumicë absolute në çdo sondazh të pavarur vendas dhe të huaj. Duhet ta përkthejmë sa më shpejt në votë këtë mbështetje të shqiptarëve. Për këtë arsye, pjesëmarrja e lartë në protestë ka një rëndësi të jashtëzakonshme," mësohet të ketë thënë Basha.

Kërkesa e opozitës mbetet e pandryshueshme: Largimi i qeverisë së Edi Ramës, vendosja e një qeverie tranzitore që do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.