Demokratët e drejtuar nga Sali Berisha janë treguar të kujdesshëm në raport me nismën e lançuar nga kryeministri Edi Rama për të krijuar mekanizma të reja për luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit për Shqipërinë e vitit 2030 në Bashkimin Evropian.
Si rrallëherë në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka dalë në një fjalim të shkruar ku theksohej se opozita mbështet çdo reformë që i shërben integrimit.
“Mbështetja jonë pa kushte ndaj çdo reforme që kërkon Bashkimi Europian, nuk ka qenë as e imponuar, as e shtirur, por buron nga ADN e forcës sonë politike që u krijua me misionin ‘Për Shqipërinë si gjithë Europa’. Prandaj çdo reformë, çdo iniciativë, çdo propozim që krijon mundësinë për ta çuar përpara këtë mision të Partisë Demokratike do të ketë kontributin tonë”, tha Bardhi.
Por ajo që ra në sy në fjalën e Bardhit është se grupi më i madh parlamentar i opozitës nuk ka një qëndrim të qartë për ofertën e kryeministrit Edi Rama për të votuar një rezolutë e për të ngritur një komision të posaçëm që do të realizojë reformat kundër korrupsionit.
“Kur çështja e komisionit të vijë në parlament do te keni dhe qëndrimin e PD”, tha Bardhi.
Por krejt ndryshe nga Sali Berisha, Lulzim Basha i cili mban logon e PD e ka vendosur të mos bëhet pjesë e komisionit të posaçëm të propozuar nga Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama. Numri dy i PD Enkelejd Alibeaj, deklaroi se shumica socialiste synon të përdorë këtë mekanizëm për të ndërhyrë në reformën në drejtësi e për t’i bërë presion SPAK-ut.
“Me fjalë të tjera, synimi i deklaruar është të ndërhyhet në reformën në drejtësi nëpërmjet Parlamentit. Nuk e fshehin teksa në pikën 8 thonë që për këtë synim do të ngrihet një komision i përhershëm parlamentar. I hetuari kërkon të ndryshojë rregullat e atij që heton”, tha Alibeaj.
Edhe Partia e Lirisë nuk do të jetë pjesë e kësaj iniciative të mazhorancës në parlament. Ilir Meta gjatë një konference me gazetarët theksoi se nuk beson tek asnjë mekanizëm i propozuar nga kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij është përgjegjës për nivelin e korrupsionit në vend.
“Nuk e kuptoj ç’është ky komision i posaçëm se ky është një vend që mbeti falë rilindjes duke u bërë laborator eksperimentesh të posaçme. Nuk mund të ketë një komision të posaçëm të ideuar nga Edi Rama që mund të synojë ti shërbejë kushtetutës”, tha Meta.
Një ditë më parë kryeministri Edi Rama njëherësh kryetari i Partisë Socialiste prezantoi vizionin e tij për një reformë të thellë në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Rama propozoi miratimin e një rezolute dhe ngritjen e një komisionit të posaçëm, duke ftuar opozitën t’i bashkohet në këtë betejë.