Partia Demokratike ka nxjerrë pamjet e protestës së 8 janarit dhe shprehet se banda kriminale e Berishës bëri gjithçka për të goditur demokratët.
Në pamje shfaqen edhe persona të njohur, si ish deputeti demokrat, Klevis Balliu dhe sekretari i FRPD, Rigers Muçollari të cilët janë etiketuar si pjesë e “mercenarëve” të organizuar nga ish kryeministri Sali Berisha dhe të drejtuar nga deputeti Flamur Noka.
“Dhuna kundër PD u organizua dhe planifikua deri në detaje. Sali Berisha madje përzgjodhi një grup mercenarësh të drejtuar nga Flamur Noka për të goditur demokratët që ishin brenda selisë. Sali Berisha dhe banda e tij kriminale bënë gjithçka për të përplasur demokratët më njëri-tjetrin, por dështuan.
Kryesia e PD, Kuvendi Kombëtar, Këshilli Kombëtar dhe mbarë demokratët qëndruan fort për të mos e kthyer partinë në bunkerin e një personi të shpallur non grata për korrupsion madhor nga partneri ynë strategjik.
Demokratët e kanë braktisur platformën e dhunës dhe të bashkuar do të ndërtojnë mbi rrënojat e se shkuarës, një PD moderne dhe europiane si alternativën më të mirë për ta nxjerrë Shqipërinë tonë nga tranzicioni 30 vjeçar.” thuhet në postim.





