Partia Demokratike thotë se Komisioni i Venecias nuk ka rrëzuar kërkesat e saj në lidhje me reformën në drejtësi, madje i ka dhënë mbështetje në dy parime kryesore, që opozita thotë se i ka ngritur qysh prej fillimit. Edi Paloka drejtoi mbledhjen e grupit parlamentar këtë të mërkurë në mungesë të Lulzim Bashës, i ndodhur në Shtetet e Bashkuara për një vizitë zyrtare, dhe në fjalën e mbajtur para mediave në përfundim të kësaj mbledhjeje, Paloka foli për reformën në drejtësi. "Nëse do të merrnim për të vërtetë këtë do të merrej si e vërtetë fakti që Komisioni i Venecias ka vendosur kapjen politike të institucioneve të drejtësisë shqiptare," – tha Paliko.
"Nuk ka asnjë gjë të tillë. Sigurisht, Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandimet e tij finale që përputhen plotësisht me parimet kryesore që ne kemi dhe që Komisioni i Venecias i ka qëndruar që në fillim. Që janë parimet kryesore, jo pikat dhe detajet, sepse ato sigurisht i diskuton Komisioni i Reformës, por parimet kryesore tonat janë, moskapja, moslejimi i kapjes së drejtësisë dhe dialogu politik. Të dyja këto pika Komisioni i Venecias i ka theksuar që në fillim dhe nuk i ka ndryshuar asnjëherë qëndrimet e saj. Ne jemi plotësisht të njëjtë me Komisionin e Venecias dhe do të vazhdojmë të ngulim këmbë që të fillojë sa më shpejt dialogu politik për t'i dhënë rrugë edhe reformës në drejtësi. Po presim reagimin e palës tjetër e cila duket që nuk e ka këtë qëndrim," – shtoi kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka.





