Kreu i grupit parlamentar dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, është dakord me Pandeli Majkon për zgjedhjet e parakohshme, por për një motiv tjetër. "Sigurisht që ato janë të domosdoshme, por jo se i kërkon Majko apo se kërcënon Rama, por sepse vendi ka shkuar në një pikë krize të pakthyeshme," – daklaroi Paloka për televizionin "Top Channel".
I pyetur se kë do të zgjidhte mes zgjedhjeve të parakohshme dhe reformës në drejtësi, ai u përgjigj: "Ka edhe një rrugë tjetër: ka zgjedhje dhe pastaj reformë. Sepse, përderisa kemi qartazi vullnet të munguar nga Edi Rama për të bërë edhe reformën në drejtësi, pse jo, këtë reformë mund ta bëjë parlamenti i ardhshëm me një vullnet të plotë."
Por, për kreun e grupit parlamentar të opozitës, edhe për zgjedhjet ka një kusht të panegociueshëm: qeveri tjetër që t’i organizojë ato. "Edi Rama duhet të largohet që shqiptarët të zhvillojnë zgjedhje të lira e të ndershme, dhe më pas të kenë një qeveri që realisht të punojë për interesat e tyre," – shtoi Paloka.





