Viktima Gazmend Çollaku, ishte nga të ndaluarit e parë dhe i dyshuari kryesor për vrasjen që ndodhi në Durrës në fund të dhjetorit, ku u ekzekutua Ervin Kodra dhe miku i tij Endri Çaushaj.
Kjo deklaratë vjen nga kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj. Në një dalje për mediet, Alibeaj tha se policia jo vetëm e shoqëroi viktimën e mbrëmshme për vrasjen e Kodrës, por po e mbante gjithë kohës nën vëzhgim.
“Megjithëse ishte nën mbikëqyrjen e policisë, megjithëse policia kishte informacion për përfshirjen e mundshme të Çollakut në vrasjen e dyfishtë të dhjetorit, sërish 4 vetë të armatosur e të veshur me uniformë policie e rrëmbejnë në mes të qytetit viktimën, e lidhin dhe e ekzekutojnë, duke larë hesapet e tyre.
Këto lloj rrëmbimesh dhe ekzekutimesh, si në rastin e Stafukës në Fushë-Krujë, kanë firmën e kokave të krimit në vend, kanë firmën dhe vulën e miqve të Saimir Tahirit”, deklaroi Alibeaj.
Demokrati nuk la pa akuzuar Tahirin, sipas të cilit, ministri u krijon lehtësi bandave që rrëmbejnë e vrasin për shkak të lidhjeve të drejtpërdrejta.
“Nuk mund të ketë lehtësi më të madhe për krimin dhe mafian, se sa një ministër i Brendshëm që bën ndërmjetësin e vrasësve me pagesë, që dërgon oficerë në shërbim të shullazëve, që vë makinën e tij personale në dispozicion të trafikantëve, që djeg provat e drogës, që fsheh kërkesën e Interpolit, që shfajësohet para baronëve të narkotikut se dëmin nuk ua bën kurrë ai.
Ky është Saimir Tahiri, i cili ka firmën e vulën pas këtij ekzekutimi, pas këtyre vrasjeve, pas trafikut të drogës dhe inkriminimit të policisë”, theksoi Alibeaj.