Partia Demokratike e cilëson Policinë e Shtetit si armë politike e kryeministrit Edi Rama. Përmes një deklarate, PD shprehet se faqja zyrtare në ‘Facebook’ e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ka shpërndarë fjalimin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, në mbledhjen e Partisë Socialiste.

PD thekson se aktiviteti i ministrit të Brendshëm i shpërndarë nga Policia është në shkelje flagrante të nenit 5 dhe 90 të ligjit.

Deklarata e plotë e PD-së:

Një fakt i ri sesi Policia e Shtetit është kthyer në Policinë Politike të Edi Ramës dhe, në mënyrë të paligjshme, përdoret kundër opozitës. Faqja zyrtare në Facebook e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ka bërë share fjalimin politik kundër opozitës të Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, në mbledhjen e Partisë Socialiste.

Neni 90 i Ligjit për Policinë e Shtetit (nr.108/2014) ndalon pjesëmarrjen në aktivitete politike, por në duart e Policisë Politike të Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt, ligji nuk ka vlerë. Aktiviteti partiak i Ministrit të Brendshëm shpërndahet nga Policia në shkelje flagrante të nenit 5 dhe 90 të ligjit.  Veprimi i paligjshëm prej militantesh partiakë nga Policia e Tiranës, është një provë tjetër se Edi Rama ka shkatërruar strukturën e Policisë së Shtetit dhe e ka shndërruar në një bandë militantësh partie.

Ishte Edi Rama ai që i bëri Policisë thirrjen e palogjshme në zgjedhjet e 2017-ës që, “pas punës të lënë uniformën dhe të mbledhin votat për PS”.