Tiranë, 19 mars 2014– Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani denoncoi gjatë një konference për shtyp ceremoninë e djeshme të provimit për Akademinë e Rendit, si një hap më shumë drejt kthimit të Policisë së Shtetit në Polici të Partisë Socialiste

“Dje në Pallatin e Kongreseve, Rama dhe Tahiri mblodhën mijëra të rinj e te reja, të Forumit Rinor të Partisë Socialiste në bashkëpunim me fondacionit Qemal Stafa, si dhe shumë të tjerë që vërtet besojnë dhe duan të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.Partia Demokratike thekson se shndërrimi i Policisë së Shtetit në Polici të Partisë Socialiste, është dëmi  më i rëndë që mund ti bëhet rendit dhe sigurisë së Shqiptarëve”,- tha Ristani.

Sipas Ristanit ky veprim i shkakton një dëm të madh Policisë së Shtetit.

“Policia e Shtetit sot po trajtohet si plaçkë lufte për t’u ndarë midis numëruesve, komisionerëve, militantëve, lidhjeve nepotike të pushtetarëve të rinj dhe në rastin më të keq po ndahet midis lidhjeve të krimit. Janë mbi 600 punonjës policie të të gjitha niveleve, me një e me dy universitete dhe me disa trajnime brenda dhe jashtë vendit, që sot janë hedhur në rrugë, por vendet e punës nuk janë hapur për Ju. Vendet e punës u hapën për ata që do ndajnë paratë e pista të trafikut të drogës me pushtetarët, vendet e punës u hapën për ata që kanë paguar shuma të mëdha për të kapur zyrat, vendet e punës u hapën për ata që duheshin shpërblyer politikisht apo për lidhjet familjare”,- deklaroi deputeti demokrat.

Sipas PD, skuadra e drejtuar nga ministri Tahiri në këto pak muaj veprimtari ka tronditur nga themelet rendin e sigurinë e shqiptarëve.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/