Partia Demokratike ka marrë shkas nga kthimi për rishqyrtim në Kuvend i ligjit që rregullon organizimin dhe funksionimin e Radio-Televizionit Shqiptar për të kërkuar që ai të miratohet me konsensus. "Do të përgëzoja Unionin e Gazetarëve dhe 156 reporterë e njerëz të penës që apeluan dhe nënshkruan peticionin ku kërkohej kthimi i ligjit në Kuvend dhe rivendosja e procedurës konsensuale për Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH, – deklaroi deputeti demokrat Genc Pollo. – Do të falenderoja edhe Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, i cili të martën e javës së shkuar, në rezolutën që miratoi për Shqipërinë, shprehte shqetësim për amendimin e njeanshëm dhe apelonte për mënyrë konsensuale në emërimin e Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH."
Pollo vijoi duke theksuar se "ishte PS e Ramës në opozitë që, në vitin 2012, vuri si kusht për konsensusin ndaj këtij ligji shumicën e cilësuar në Këshillin Drejtues të RTSH për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm."
"Mazhoranza e PD asokohe e pranoi kushtin e opozitës dhe e votoi kështu ligjin. Sot, mes dy kandidatëve të përzgjedhur nga Këshilli Drejtues, që të dy me jetë aktive politike në PS prej 25 vjetësh, si shenjë kompromisi e bashkëpunimi, anëtarët nga opozita përkrahin njërin prej tyre. Por, jo detyrimisht mikun familjar të Edi Ramës. Ndryshimi i ligjit ad hominem ishte veprim shumë i gabuar i mazhorancës PS-LSI," – deklaroi Pollo.
Deputeti demokrat shtoi se "uroj që mazhoranca të reflektojë e të mos votojë me nxitim e me inat për ligjin e RTSH."





