Tiranë, 20 gusht 2014 – Deputetja demokrate Voltana Ademi, deklaroi se Prokuroria duhet të jetojë mekanizmin e punëismit në të gjitha zyrat e Partisë Socialiste. Ajo u shpreh se kur përfaqësuesi politik i oligarkisë kërkon favor seksual me një të mitur, në këmbim të një vendi pune, do të thotë se është ndezur llampa e alarmit, për shoqërinë, për shtetin për vendin tonë.

“Me të vërtetë, ku po shkojmë kështu? Shqetësimi shumëfishohet kur del në dritë mekanizmi se si funksionon punësimi në vend. Skandali i Sarandës nxori zbuluar atë që të gjithë kemi dëgjuar, se në realitet vendet e punës kjo qeveri i këmben si në pazar, pikërisht në zyrat e Partisë Socialiste. Janë shumë drama të tjera që janë konsumuar nga oreksi e babëzia e oligarkëve dhe përfaqësuesve të tyre, duke kërkuar favore në zyrat e Partisë Socialiste në këmbim të një vendi pune, në këmbim të bukës së gojës. Partia Demokratike e dënon ashpër këtë fenomen që cënon dinjitetin human të vajzave e grave, nënave e motrave tona”, u shpreh Ademi.

Ajo shtoi se kërkohet drejtësi e shpejtë dhe shembullore për këtë shkelje të ligjit dhe të çdo kodi, norme e morali në vendin tonë. Deputetja demokrate ftoi vajzat dhe gratë e Shqipërisë, të ngrenë zërin, të denoncojnë çdo lloj dhunuesi, duke thënë se edhe nëse ka mandatin e oligarkisë në pushtet, askush nuk ka të drejtën të shesë e të blejë, apo të bëjë pazar me nderin. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/