Partia Demokratike i ka propozuar Kuvendit emrin e Besim Ndregjonit për kandidat për Avokat të Popullit.

Por, sipas burimeve për gazetarin Osman Stafa, Partia Socialiste ende nuk ka një vendim.

Ndërkohë kandidatë të tjerë që kanë aplikuar janë Vitore Tusha, Bledar Dervishaj, Tartar Bazaj, Besim Ndregjoni, Dardan Mustadaj, Edison Frangu dhe Erald Aga.

Posti i Avokatit të Popullit mbahet nga Erinda Ballanca, e cila u zgjodh Avokate e Popullit nga marrëveshja Rama – Basha në vitin 2017, ndërsa mandati i përfundoi në vitin 2022.

Në një intervistë për Panorama dy vite më parë, ajo u shpreh se vendosi të mos rikandidonte pasi emri i saj nuk solli asnjë përbashkim të forcave politike.

Erinda Ballanca u shpreh gjithashtu se nga ana e mazhorancës kishte ndjerë një ashpërsim të gjuhës, ndaj mori edhe vendimin per te mos rikandiduar

“Institucioni duhet të ketë një njeri që ta drejtojë si duhet dhe për shkak të një konsensusi duhet ti shërbeje legjitimitetit të Avokatit të Popullit.

Unë kam paraqitur dorëheqjen time sepse parimi në fakt është që mandatet edhe sipas parashikimeve të standardeve, parimi është një mandat 7 vjet.

Un kam pas një mandat 5 vjeçar dhe ka qenë një gjë më e shkurtër. Unë besova se emri im nuk sillte bashkim te të dyja forcave politike.

Unë edhe kur mora detyrën e mora për një mandat, kaq ka qenë marrëveshja ime me parlamentin.

Secila prej forcave politike ka të drejtën të mbështesë apo jo një kandidat. Përsa kohë unë nuk ndjeva një përbashkim nuk bëra një kërkesë për të rikandiduar.

Unë ndjeva nga ana e mazhorancës një ashpërsim të gjuhës. Unë bërë një fjalë në kuvend vitin e kaluar dhe thashë cilido që të jetë emri i avokatit ai duhet të sjellë përbashkim.

Kjo është një detyrë që kërkon besim dhe duhet të kesh besimin e të dyjave forcave politike. Unë besoj se mandati i dytë nuk ka si të jetë njësoj si mandati i parë”, tha Ballanca.