Durrës, 1 tetor 2014 – Partia Demokratike duke kundërshtuar heqjen e Obeliskut në qendrën e qytetit të Kavajës, po zhvillon sot një protestë në sheshin "Demokracia".

 Bëhet e ditur se në protestë marrin pjesë disa deputetë të PD-së, si Eduard Halimi, Arben Ristani, Edi Paloka dhe Ridvan Bode, të cilët janë mbështetur dhe nga shumë qytetarë të Kavajës. Nga protesta, kreu i Partisë Demokratike në Kavajë, Engjëll Cara deklaroi se Obelisku i demokracisë është larë me gjakun e kavajasve. Ndërsa ka paralajmëruar se protestat do vijojnë, Cara ka theksuar se kryeministri Edi Rama nuk e ‘vret’ dot shpirtin e Kavajës.

 “Obelisku i demokracisë është larë me gjakun e kavajasve. Rama nuk e vret dot shpirtin e Kavajës. Do të vijojmë me protestat”, -tha Cara. 

Protesta po zhvillohet në vendin ku ishte vendosur monumenti, i cili u shemb nga INUK ditën e hënë. Ndërkohë, bëhet e ditur se protesta monitorohet nga forca policore. 

Monumenti simbol i “dy gishtave” i është kushtuar lëvizjes së parë demokratike në Shqipëri, që u zhvillua më 25 mars 1990 në Kavajë. 
Një vit më parë, arena politike u përfshi nga debate rreth shembjes së monumentit. Pasi kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi mbështeti iniciativën e Ramës, se monumenti është tepër i shëmtuar për të qëndruar në mes të qytetit, ish-kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se "mjerë ai që guxon ta prekë".