Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho sqaron në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit arsyet përse PD e konsideron farsë dhe nuk do të çojë anëtarët e saj në nënkomisionin parlamentar që mbikqyr Vettingun në polici.

Në letër thuhet se “ligji është një mekanizëm fasadë i Qeverisë që, me propagandë, të mbulojë lidhjet e Qeverisë me krimin e organizuar, të mbajë nën kontroll politik dhe të realizojë spastrime politike në Policinë e Shtetit.”

Argumenti kryesor që Spaho përmend në letër dhe që provon sipas tij farsën e Vettingut në polici, ishte mospranimi nga maxhoranca i propozimit thelbësor të PD-së, që Vettingu në radhët e Policisë së Shtetit të fillojë nga drejtuesit politikë, duke nisur me ministrin e Brendshëm.

“Sa kohë procesi i Vettingut, drejtohet nga një ministër i Brendshëm, i lidhur me krimin e organizuar dhe që nuk pranon që vetë të jetë subjeki i procesit të Vettingut, opozita e konsideron këtë proces një farsë të papranueshme, ku nuk mund të bëhet pjesë”, thotë kreu i deputetëve demokratë, Edmond Spaho.

Për PD-në është e papranueshme që, një punonjës i thjeshtë i Policisë së Shtetit, të konsiderohet me ligj si i papërshtatshëm me detyrën për shkak se një kushëri i tij është i dënuar më parë, ndërkohë që drejtuesi politik, ministri i Brendshëm, e ka vëllanë të dënuar dhe në burg për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.