Tiranë, 22 korrik 2014 – Krimi po rritet, ndërsa qeveria po e lufton me policë kartoni. Kështu ka deklaruar sot Partia Demokratike në një reagim të saj. Koordinatori i Partisë Demokratike për Mbrojtje Ligjore dhe Denoncimet Ervin Salianji deklaroi se qeveria nuk po merr masa për të ulur shifrat e kriminalitetit dhe aksidenteve rrugore, por në vend të tyre po vendos fasada dhe policë kartoni anembanë vendit. 

“A ju kemi thënë që kjo qeveri është qeveri e propagandës, show-t dhe fasadës?! Ja ku kemi një rast tjetër të policëve prej kartoni, të shpërndarë tashmë në rrugët e Shqipërisë. Teksa numri i vrasjeve është rritur, vjedhjet janë 7-fishuar, numri i zbulueshmërisë së krimeve nga policia ka rënë me 15 %, numri i aksidenteve rrugore në rrugët e Shqipërisë është rritur ndjeshëm, ky ministër i cili as dordolec nuk mundi të bëhej dot në krye të Ministrisë së Brendshme, ka vendosur këta dordolecë për të trembur shkelësit e ligjit.”-deklaroi për mediat Ervin Salianji. 

Sipas tij, qeveria nuk po merr asnjë masë.

“Kjo qeveri, në vend që të marrë masa të menjëhershme, emergjente, efiçente dhe energjike, për të parandaluar krimin dhe shkelësit e ligjit, vendos të lyejë këto fasada boshe dhe inefiçente. Në 300 ditë, gjendja e krimit dhe pasigurisë publike në vend është rritur. Në 300 ditë, vlera e jetës dhe pronës së qytetarëve shqiptarë ka rënë ndjeshëm”,- tha Salianji. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/