Partia Demokratike ka vazhduar akuzat ndaj Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me ilaçet e skaduara në QSUT. Deputeti i opozitës njëherësh dhe nënkryetar i Komisionit të Shëndetësisë Bardh Spahia, në një deklaratë për mediat tha se ilaçet në Shqipëri janë të pasigurta apo të falsifikuara.

Sipas opozitës, Drejtoresha e Farmacisë së QSUT-së, Narvina Sinani është person direkt përgjegjës për skadimin e ilaçeve.

“E vërteta është se QSUT-ja është kthyer në një kosh plehrash për disa kompani të lidhura me qeverinë, që zbrazin depot e tyre nga ilaçet në prag skadence, duke ia dhuruar gjoja Spitalit, për të kursyer qindra milionë lekë për asgjësimin e tyre.

Ogerta Manastirliu thellon skandalin e ilaçeve të skaduara. Emëron në krye të agjencisë kombëtare të barnave personin përgjegjës për ilaçet e skaduara në QSUT.

Ilaçet në Shqipëri janë të pasigurta. Çdo shqiptar mund të dëshmojnë se ilaçet nuk bëjnë efekt dhe shumë prej tyre i blejnë ato në vende të BE apo SHBA.

 Ilaçet e skaduara, ilaçet e pasigurta apo të fallsifikuara kanë hyrë në Shqipëri me vendim qeverie për të pasuruar një grusht klientësh të Mafias së Ilaçeve”, deklaroi Spahia.

Një ditë më parë opozita tha se 93% e barnave që ndodhen në farmacinë qendrore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë të skaduara, por kjo deklaratë u hodh poshtë nga ministrja e Shëndetësisë, e cila i cilësoi si shpifje.