TIRANE- Partia Demokratike akuzon edhe njëherë kryetarin e PS-së Edi Rama për bllokimin e statusit kandidat në BE. Sipas një deklarate të PD, Rama do festojë gjatë ndërrimit të viteve për bllokimin e ëndrrës europiane. 

“Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama do të festojë Vitin e Ri duke ngritur dollinë e ndërrimit të viteve për bllokimin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Europian. Duke ngritur para të rinjve shqiptarë murin e bllokimit të statusit të vendit kandidat, njeriu që shkollon femijët e tij në shkollat më të kushtueshme të perëndimit, u mohon fëmijëve të qytetarëve të thjeshtë, të drejtën e shkollimit në universitetet e vendeve anëtare të BE-së pas marrjes së statusit, me tarifa të njejta dhe më të lira se ato të universiteteve të Shqipërisë. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama duke bllokuar marrjen e statusit të vendit kandidat, ngre para të sëmurëve shqiptarë murin e bllokimit, të mundësisë së kurimit të tyre në qendrat dhe spitalet e mëdha shëndetësore të ketyre vendeve me tarifa plotësisht të përballueshme nëpërmje sigurimeve shëndetësore. Ndërkohë që ky zotëri, shpenzon për vendosjen e dhëmbëve të tij, apo nderhyrje të tjera plastike shuma përrallore si sheikët më të pasur miliarderë”, thuhet në deklaratë.