TIRANË, 13 prill 2013 – Partia Demokratike ka sulmuar ashpër sot kreun e opozitës Edi Rama, duke e akuzuar se 21 janari i vitit 2011, ishte strategji e tij për të ardhur në pushtet.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi, deklaroi se Rama kërkon të fshijë 21 Janarin nga kujtesa, pasi dështoi të vinte në pushtet me tentativën për 'puc shteti'.
“Edi Rama u rrëfye hapur të Enjten, se ai tashmë është i frikësuar deri në neveri nga 21 Janari, se ai trembet dhe nuk i pëlqen më të flasë për këtë histori, dhe se tani top-story i tij është koalicioni i ri i “ngjalave. Madje, ai shkoi edhe më larg kur tha se atyre që vazhdojnë të flasin për 21 Janarin, u ka lënë mallkimin e zotave. Në rrëfimin e tij z. Rama tregoi dhe një herë se i mungon çdo lloj refleksi moral, dhe tashmë është e qartë për të gjithë se ai, si njeriu që manipuloi videon që përdori si pretekst për 21 Janarin, si organizator kryesor i përpjekjes për të ardhur në pushtet me dhunë, si “kameleon” që u përpoq të përdorte dhimbjen e familjarëve të viktimave si mburojë për krimin e tij të shëmtuar, për atë cka meritoi shaminë në fytyrën e tij, po bën çdo gjë për t’i shpëtuar drejtësisë!”, deklaroi Vorpsi.





