TIRANE – Partia Demokratike ka akuzuar sot kreun e PS-së, Edi Rama se po tenton të minojë proçesin zgjedhor me akuza dhe mospjesëmarrje në vendimmarrjet që, sipas saj, opozita detyrohet t’i zbatojë me ligj.
“Shqiptarët i mbajnë mend shumë mirë sulmet që ai u bëri zgjedhjeve lokale të 2007 -ës për çertifikatat, të 2009 -ës për kartat e identitetit dhe 2011 -ës për të gjitha. Rama u qa pa arsye për 2007 -ën, u qa pa arsye për 2009 -ën, pa arsye për 2011 -ën dhe nuk ka si të mos qahet pa arsye edhe për 2013 -ën.”- thuhet në deklaratën e PD-së.
Duke iu referuar ndarjes së mandateve, PD theksoi se Rama po kërkon sot atë ndarje mandatesh që e refuzoi pa arsye në KQZ më 23 nëntor.
“Qarja përpara zgjedhjeve i është kthyer në një sëmundje patologjike, të pashërueshme. Sot, sindroma e Ramës për mosnjohjen e zgjedhjeve rëndohet akoma më shumë për shkak të “kapsllëkut” politik që po kalon ai vetë dhe partia të cilën ai drejton. Shqiptarët, cdo burrë, grua, i moshuar apo i ri, janë dëshmitar se si paranojat e Kryetarit të Partisë Socialiste dhe paburrëria e tij për t’u përballur ndershmërisht në beteja elektorale, e kanë shndërruar atë në goren e vërtetë të çdo proçesi zgjedhor dhe në pengmarrësin më të madh të ëndrrës europiane të popullit shqiptar.”- përfundon deklarata e PD-së.