Tiranë, 15 korrik 2014 – Partia Demokratike u shpreh sot se dënon heshtjen e kryeministrit Edi Rama për kërcënimin që sipas tyre, deputeti Arben Ndoka i bëri zëdhënëses së PD, Laura Vorpsi me një telefonatë. 

“Sot është dita e tretë e heshtjes së Edi Ramës, pas kërcënimit banditesk që ai i bëri zëdhënëses së Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, me anë të deputetit Arben Ndoka. E gjithë shoqëria e dënon aktin e shantazhit mafioz që kryhet me frymëzim dhe me porosi të Edi Ramës”, u shpreh në një deklaratë për shtyp, deputetja e Lezhës, Albana Deda. 

Sipas PD, kërcënimi me jetë i zëdhënëses dhe i familjes së saj, janë një kërcënim për fjalën e lirë, për demokracinë në vend. 

“Vetëm Edi Rama hesht, bën të paditurin. Ai flet për orë të tëra me atë propagandën e tij bajate të shportës bosh, po nuk thotë asnjë fjalë për kërcënimin me bekimin e tij, rrugacëror e banditesk të zëdhënëses së Partisë Demokratike. Eshtë Edi Rama, që bën propagandë për të drejtat e grave, por në realitet ai hoqi dy gra kandidate, vetëm për t’i hapur rrugën hyrjes në parlament të një personi të dënuar për shfrytëzim prostitucioni. Me oligarkinë kriminale dhe strukturën e dhunës që ka instaluar Edi Rama deri në Parlament, cdokush po merr mesazhin se është nën kërcënim nëse denoncon, nëse flet”,tha Deda. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/