Tiranë, 28 maj 2014 – Partia Demokratike ka akuzuar ditën e sotme Prefekturën e Tiranës në lidhje me emërimet në poste drejtuese të saj të personave me precedent penal, dhe pjesë të kontigjentit të trafikut të drogës. PD-ja denoncoi emërimin e Genart Gjashtas në postin e Drejtorit të Shërbimeve dhe Personelit në Prefekturën e Tiranës, duke shtuar se ky person është dënuar me 10 vite burg për trafik droge. 

Përgjegjësi i Sektorit të Shërbimeve të Brendshme në Prefekturën e Tiranës, Gernard Gjashta ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas akuzave të Partisë Demokratike, se është i dënuar për trafik droge.

Prefekti Sadi Vorpsi i konsideron akuzat “gjueti shtrigash me prapavijë të plotë politike që e ka zanafillën që në bllokimin e pazareve të Lulzim Bashës tek Bulevardi i Ri” dhe sqaron se, “bazuar në dokumentacionin ekzistues në dosje dhe të përcjellë më parë për mediat, z. Genart Gjashta nuk figuron i dënuar sipas vërtetimit të gjendjes gjyqësore”.

 

Deklarata e plotë e zëdhënëses Laura Vorpsi

Kryeministri Edi Rama ia ka besuar shërbimet dhe personelin e Prefekturës së Tiranës, më e madhja në vend, një të dënuari me 10 vite burg për mbajtje dhe trafik droge në Greqi.

Gehart Gjashta është dënuar fillimisht nga gjykata e shkallës së parë në Greqi me 16 vite burg, më pas gjykata e Apelit në Greqi, në vitin 2004, ka lënë dënimin me 10 vite burgim, me akuzën e mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Me këtë vepër penale që ka kryer, dhe me dënimin e marrë nga drejtësia greke, Gehart Gjashta plotëson kriteret e Edi Ramës për të marrë një detyrë të rëndësishme, një post kyç në Prefekturën e Kryeqytetit.

Rilindja e Edi Ramës po rezulton çdo ditë një parajsë për bosët e drogës, të cilët jo vetëm kanë riaktivizuar kanalet e trafikimit, duke arritur kulmin e aktivitetit kriminal, por kanë kapur dhe postet dhe zyrat e rëndësishme të shtetit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/