TIRANE– Partia Demokratike reagoi sot pas akuzave të kreut socialist, Edi Rama, për gjendjen e kriminalitetit në vend dhe atë të Policisë së Shtetit. Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, nënvizoi gjatë fjalës së saj se Edi Rama e politizoi vrasjen e komisarit Musa Skura, për të marrë disa vota më shumë.
“Kështu në rastin e rënies në krye të detyrës së Komisarit Musa Skura, pasi deklaroi me zëdhënësin e tij paturpësisht se Komisar Skuraj nuk ra në krye të detyrës, më pas në dy deklarata politizoi rënien e tij në krye të detyrës duke besuar verbërisht se kjo i sjellë vota.”- u shpreh ajo.
Sipas PD-së, Rama e ka shpërblyer krimin e organizuar me leje ndërtimi e pallate dhe derdh më kot lot krokodili për Policinë e Shtetit, pasi ishte vetë ai që e masakroi me banditët e tij më 21 janar.
Gjatë deklaratës ,Vorpsi e akuzoi Ramën se qëndron në krah me njerëz që deri në vitet ’90 kanë ekzekutuar me plumb në kokë dhe kanë plagosur të rinj të pafajshëm në Tiranë.