· Koordinatorja për Marrëdhëniet Publike në PD, Grida Duma denoncon pasojat dramatike të spastrimeve në administratë
· PS i quan të turpshme shpikjet e Grida Dumës. Sipas selisë rozë, akuza e bërë nga PD ishte një shpikje e radhës.
Tiranë, 13 prill 2014 – Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për vetëvrasjen e një nëne me dy fëmijë pas largimit nga puna. Në një deklaratë për mediat Kordinatorja për marredheniet publike Grida Duma u shpreh se dyshja Rama –Meta nuk dëgjuan lutjet e Bruna Mejkos e cila është vetëhelmuar pas largimit nga puna.
“Puna që 52-vjeçarja bënte prej më shumë se 10 vitesh, ishte e vetmja e ardhur financiare për familjen Meko. Të afërmit dhe kolegët e saj tregojnë se ajo i kishte paralajmëruar zbatuesit e spastrimeve në administratë, se nuk do ta përballonte dot nëse do ta hiqnin nga puna",- u shpreh Duma.
Ajo cilësoi qeverinë përgjegjëse për vdekjen e 52-vjeçares dhe "zhdukjes së shpresës që po shkaktojnë me shkarkimet denigruese nga puna".
REAGIMI I PS
Selia rozë i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike sa i takon çështjes së vetëflijimit të një 52-vjeçare nga Korça. Me anë të një deklarate për shtyp, deputetja e qarkut Korçë, Olta Xhaçka ka reaguar, duke i cilësuar të turpshme shpikjet e Grida Dumës. Sipas Xhaçkës, akuza e bërë nga PD, ishte një shpikje e radhës.
“Prej vitesh jemi mësuar me lumin e akuzave, fyerjeve, shpifjeve, baltës, që buronin nga zyrtarë të Partisë Demokratike dhe goja e ish Kryeministrit. Por kjo e sotmja, është shumë e rëndë. Një grua, nënë, bashkëshorte, është ndarë nga jeta. Kjo është një fatkeqësi, për të cilën sot vuajnë familjarët, të afërmit dhe miqtë e saj.”,– tha deputetja Xhaçka.
Sipas Olta Xhaçkës, opozita shfrytëzon këtë rast për të bërë politikë, sërish përmes shpifjes dhe baltës. Ne pozitën e deputetes së qarkut, Xhaçka bëri me dije se për këtë rast nuk ka pasur pushim apo largim nga puna të të ndjerës Bruna Meko.
Deklarata e plotë e deputetes demokrate Grida Duma
Një grua, një bashkëshorte dhe nënë, e vetmja e punësuar në një familje korçare, i ka dhënë fund dje jetës, pasi spastrimet që po bën qeveria në administratë e hodhën atë në rrugë.
Bruna Meko nuk e përballoi dot dhunën e dyshes Rama-Meta që pas një terrori psikologjik, dhe në dëshpërim e sipër nëna e dy djemve dhe bashkëshortja e një burri që lëngon prej vitesh në shtrat, u vetëhelmua.
Puna që 51-vjeçarja bënte prej më shumë se 10 vitesh, ishte e vetmja e ardhur financiare për familjen Meko.
Të afërmit dhe kolegët e saj tregojnë se ajo i kishte paralajmëruar zbatuesit e spastrimeve në administratë, se nuk do ta përballonte dot nëse do ta hiqnin nga puna.
Por revanshi i shkarkimeve masive, skema anti-ligjore dhe anti-humane e dyshes Rama-Meta është e verbër për të parë dhe e shurdhër për të dëgjuar lutjet e një gruaje, të një nëne dhe të një bashkëshorteje.
Partia Demokratike është thellësisht e indinjuar nga kjo ngjarje dhe gjendet sot pranë familjes Meko në këtë ditë të tmerrshme.
Parti Demokratike akuzon Edi Ramën dhe Ilir Metën, dhe spastruesit e tyre në terren, si përgjegjës të zhdukjes së shpresës që po shkaktojnë me shkarkimet denigruese nga puna, si përgjegjës të ndarjes nga jeta të Bruna Mekos.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





