Tiranë, 1 shtator 2014 – Partia Demokratike denoncoi sot promovimin për në Kryesinë e Qarkut, të Drejtoreshës së ISSH në Korçë, Ana Verushi. Deputetja e PD-së, Eleina Qirici, gjatë një deklarate për shtyp, evidentoi faktin se ishte pikërisht kjo drejtoreshë e cila shkaktoi vdekjen e punonjëses së saj.

"Opinion publik u trondit pak muaj më parë kur një specialiste e ISSH në Korçë vrau veten për shkak se drejtuesja e Institucionit e tranferoi larg duke pasur si synim largimin nga puna të së ndjerës, e cila punonte prej më shumë se 10 vitesh në institucion. Qytetarët korçarë protestuan para zyrave të ISSH në Korçë duke kërkuar përgjegjësi për drejtoreshën Ana Verushi, e cila ishte përgjegjësie për largimin nga jeta të specialistës që mbante e vetme familjes e saj. Por dyshja Rama-Meta, pasi bleu me paratë e pista të krimit dhe korrupsionit zgjedhjet vendore në Korçë, pasi amnistoi në Kuvend me dhunën e kartonave këtë krim elektoral, pasi kërcënoi me të gjitha format të zgjedhurit demokrat, vendosi para dy ditësh të promovojë për në kryesinë e Qarkut të Korçës Ana Verushin, drejtoreshën monstër që shkaktoi vetëvrasjen e punonjëses së saj”, u shpreh ajo.

Sipas Qiricit, ky vendim tregon qartë modelin Rama-Meta, i cili sipas demokratëve nuk njeh asnjë kufi morali dhe përgjegjësie. 

“Ky është modeli që me çdo kusht do të largonte masivisht punonjës nga administrata dhe me çdo çmim. Ky është modeli i inkriminimit të administratës dhe institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, sepse për oligarkinë Rama-Meta, asnjë nuk ka më të rëndësishme se mbajtja e pushtetit me çdo mjet arbitrariteti, presoni dhe dhune. Partia Demokratike është e indinjuar nga ky akt i papërgjegjshëm dhe antihuman i dyshes Rama-Meta që janë verbuar nga okulti i pushtetit duke shkelur çdo parim dhe moral njerëzor, duke promovuar hapur në mes të ditës një drejtoreshë që shkaktoi vdekjen e një zonje, e një nëne dhe qytetare të devotshme", tha deputetja demokrate.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/