Tiranë, 20 korrik 2014 – Ndonëse kryeministri Edi Rama gjatë fushatës së tij elektorale foli për 300 mijë vende pune, kjo nuk u realizua. Kështu deklaroi gjatë një dalje publike për mediat nga selia Blu zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi. Sipas PD-së, reklamat që i paguajnë qytetarët shqiptarë nuk krijojnë asnjë vend të ri pune dhe nuk sjellin asnjë përmirësim e mirëqenie. 

Deklarata e plotë e zëdhënëses Laura Vorpsi

Pasi nuk ia doli të mbulonte dështimin e 300 ditëve me propagandë me regji qendrore, Edi Rama tani ka mbushur dhunshëm rrugët e vendit me reklama që flasin për sukseset imagjinare që ndodhin vetëm në kokën e kryeministrit.

Duke abuzuar me taksat e qytetarëve, Edi Rama po synon të shtrembërojë realitetin që është krejt e kundërta e propagandës së tij.

As tabelat, as reklamat, as regjia qendrore nuk e ndihmojnë Edi Ramën të fshehë mashtrimet e tij për 300 mijë vende pune, legalizim falas, shëndetësi falas, e dhjetra gënjeshtra të tjera të fushatës së tij.

Reklamat që i paguajnë qytetarët shqiptarë nuk krijojnë asnjë vend të ri pune, nuk sjellin asnjë përmirësim e mirëqënie.

Kjo fushatë irracionale dhe e kushtueshme e Edi Ramës, nuk i fsheh dot humbjen e mbi 30 mijë vendeve të punës këto 300 ditë, përkeqësimin e të gjithë treguesve të rendit e sigurisë, rënien e ekonomisë, mungesën e investimeve dhe goditjen e rëndë që ka marrë shpresa dhe besimi tek e ardhmja me Edi Ramën dhe ekipin e tij të propagandës boshe e punës zero.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/