TIRANE, 24 maj 2013– Partia Demokratike i bëri sot thirrje liderit të opozitës të votojë tre ligjet. Në një dalje para mediave, zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, i kërkoi Ramës të sjëllë të hënën në Kuvend deputetët e tij për të votuar tre ligjet, teksa i kujtoi humbjet e vendit nga mosmiratimi në kohë i tre ligjeve.
“Teksa Partia Demokratike për të 225 –tën ditë i bën thirrje konkrete Edi Ramës, që të sjellë deputetët e tij në parlament të hënën, për të votuar 3 ligjet, Rama nisi t’i bjerë dajres. Rama i ra dajres, sepse edhe vetë është i ndërgjegjshëm për dëmin që u ka sjellë të gjithë shqiptarëve me bllokimin e 3 ligjeve për 225 ditë. Rama i ra dajres se nuk ka sy e faqe t’u dalë përpara studentëve që u mohoi me qindra bursa studimi në vendet e BashkimitEuropian. I ra dajres, sepse u mohoi sipërmarrësve me qindra mundësi kreditimi. Rama i ra dajres, sepse u mohoi mjekëve, infermierëve e mësuesve me dhjetëra mundësi kualifikimi në Bashkimin Europian. Rama i ra dajres, sepse nuk ka sy e faqe t’u dalë përpara fermerëve, të cilëve u mohoi miliona euro suvbencione. I ra dajres përpara qytetarëve të Tiranës, sepse ata e dinë që për 11 vjet si Kryetar Bashkie u kujdes për të mbushur thesin e Kocos dhe jo për të përmirësuar jetën e tyre”, tha ajo.
“Shqiptarët tashmë e kanë më të qartë se kurrë, se janë përpara dy alternativave: Alternativës serioze të zhvillimit që ka shtruar mbi 10 mijë kilometra rrugë, ka ndërtuar mbi 1 300 shkolla, 400 qendra shëndetësore e spitale dhe alternativës së tallavasë. Partia Demokratike edhe një herë e fton Ramën t’ia lërë dajren e Fajes për një ditë të vetme Koços dhe të hënën të bashkohet me slloganin e Partisë Demokratike, Përpara, për të votuar 3 ligjet”, përfundon deklarata e Laura Vorpsit, zëdhënëses së PD-së.





