Tiranë, 22 gusht 2014 – Partia Demokratike ka reaguar ndaj konferencës së Kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ishte i detyruar nga pyetjet e gazetarëve që të thyente heshtjen 42 ditore në lidhje me inkriminimin e parlamentit. Në vijim shtohet se Kryeministri nuk shfaqi asnjë lloj përgjegjshmërie, llogaridhënie, apo reflektimi për faktin se ai ka bërë deputetet një të dënuar për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi.

“Për më keq, Edi Rama tha se çdo gjë është në rregull, pasi deputeti Arben Ndoka paska paraqitur një dëshmi penaliteti të falsifikuar. Kryeministri ynë, i mbyll sytë para malit me fakte e dokumenta, para vendimit të Gjykatës së Romës që e dënon me 7 vite burg deputetin e tij, para njohjes së këtij dënimi që ka dhënë drejtësia italiane, nga gjykatat tona. Edi Rama i lan duart, duke thënë se atij i mjafton një fletushkë, një dëshmi penaliteti false. Me këtë përgjigje, Rama fyeu çdo qytetar të këtij vendi, që priste një reagim”, thuhet në qëndrimin e PD.

Më tej shtohet se deklarimi i djeshëm i Kryeministrit është nga ato thagmat që nuk kanë nevojë për koment, duke shtuar se ky qëndrim thjesht vërteton, se Edi Rama me vetëdije të plotë, duke i njohur faktet dhe rrethanat, ka bërë deputet një person me të kaluar kriminale, për ta përdorur atë si instrument dhune gjatë fushatës, gjatë zgjedhjeve të një viti më parë, dhe sot për të goditur, dhunuar e kërcënuar opozitën. PD e mbyll qëndrimin duke thënë se për këtë fakt, ai refuzon të mbajë përgjegjësi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/