TIRANË, 10 mars 2013- Partia Demokratike i drejtoi sot sërish thirrje kreut të PS-së Edi Rama të bëjë transparencën e pasurisë së tij.
Zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi deklaroi në një konferencë për shtyp se kryesocialisti Rama prej javësh deklaron gënjeshtra për taksat në një kohë që ai nuk ka paraqitur asnjë faturë për pasuritë e tij.
“Prej 10 javës Rama ka trilluar dhe shpifur për çdo gjë dhe nuk ka paraqitur asnjë faturë tatimore për pallatin në pajë duke dëshmuar që s`ka paguar asnjë qindarkë. Prej 10 javësh Rama s`ka deklaruar asnjë pasuri të nënës dhe të djalit të tij siç e detyron ligji pasi mendon se ai dhe familja e tij janë mbi ligjin” tha zëdhënësja.
Më tej zëdhënësja e PD-së theksoi se Rama duhet të zbardhë të vërtetën e skandaleve korruptive të cilat janë bërë me pallatin e bashkëshortes dhe me çmimin e tokës që ka blerë në Dajt për të ndërtuar shtëpinë.
“PD i bën thirrje Ramës të mos i fshihet transparencës, të thyejë heshtjen e tij dhe të përmbushë detyrimet ligjore dhe të zbardhë të vërtetën e këtyre skandaleve korruptive” shtoi më tej Vorpsi.