TIRANE, 9 prill 2013 – Partia Demokratike ka vijuar edhe sot me akuzat ndaj kryesocialistit Rama lidhur me pasuritë e tij dhe të shoqes, Linda Bashës. Gjatë një deklarate për mediat, Laura Vorpsi, zëdhënësja e PD-së, i ka bërë thirrje Ramës që të bëjë transparente vilën verore që po ndërton pranë malit të Dajtit. 

Ajo gjithashtu i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, që të mos fshihet prapa monologjeve qesharake, por të gjejë kurajo dhe me transparencë t’i thotë publikut origjinën e investimeve të miliona eurove për pallatin pesëkatësh. 

"Partia Demokratike i kërkon Z. Rama të marrë të gjitha përgjegjësitë publike dhe të mos fshihet si frikacak për dy lejet e ndërtimit të firmosura prej tij për interes familjar dhe në kundërshtim flagrant me ligjin e konfliktit të interesit dhe shkelje të rëndë të Nenit 62 të ligjit të Urbanistikës për ndërtimin e pallatit në pajë të gruas së tij në vendin e ndaluar me ligj, sheshin e pallateve. Partia Demokratike ju fton Z. Rama të bëni publike fondet e ndërtimit, firmën e ndërtimit dhe faturat që ju paguani për ndërtimin e rezidencës suaj në malin e Dajtit”,- tha Vorpsi.