TIRANË – Partia Demokratike i bëri thirrje sot kreut të PS-së, Edi Rama që të bëjë transparencën për ato që i cilëson si afera të tij korruptive personale dhe familjare. 

“Unë jam sot këtu për ti bërë thirrje zotit Rama ti tregojë publikut çmimin e vërtetë të blerjes së vilës së tij 8 mijë metër katrorë në tokë, në një zonë në të cilën toka është blerë nga qytetarë të tjerë, jo 2 dollarë siç e deklaroni se e keni blerë ju, por së paku 22 e më shumë dollarë, çmime shitjeje këto të regjistruara në dokumente zyrtare. Çmimi prej 2 mijë lekësh apo 2 dollarësh, apo 1,3 euro që ju keni deklaruar, është qesharak dhe nuk ekziston askund në periferinë e Tiranës, prandaj ju bëjmë thirrje ti thoni publikut çfarë fshihet prapa këtij çmimi, shmangia e detyrimit tatimor të shumës së vërtetë të përdorur për blerjen e tokës apo origjina jo e pastër e parave të përdorura për këtë qëllim”,- u shpreh zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi. 

Sipas saj, “PD kërkon nga zoti Rama të paraqesë para publikut të gjitha dokumentet zyrtare bankare, tatimore dhe faturat e paguara, firmës së ndërtimit për 1 milion euro investim në pallatin 5 katësh me sipërfaqe ndërtimi 900 metër katrorë me investitorë dhe pronarë kunatin e shokut Rama të vetëpunësuar, dhe xhaxhain e tij pensionist. Partia Demokratike i kujton zotit Rama se fshehja ndaj publikut të burimit të financimit prej 1 milion euro të pallatit në pajë, akuzon për origjinë jo të pastër të këtyre parave familjare. Heshtja juaj familjare për këto çështje zoti Rama, flet vetë, madje shumë më tepër nga çmendoni ju”,- u shpreh Vorpsi.