TIRANË, 19 mars 2013 – Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me tryezën që kreu i PS-së Edi Rama mbajti sot me përfaqësues të biznesit e sipërmarrjes në vendin tonë ku prezantoi programin “Për një Rilindje Kombëtare”. Në një postim në faqen zyrtare në rrjetin social ‘Facebook”, Partia Demokratike e akuzon kreun e PS-së se plani për rritjen e taksave tregon se ai nuk është mik i biznesit, por kundërshtar. 

“Partia Demokratike i kërkon z.Rama ti kërkojë falje qytetarëve dhe shqiptarëve për ushtrimin ndaj tyre të një fantazie të plotë, për më shumë se një orë, të sajuar në dhomën e tij të ndenjës. E vërtetë është se z.Rama nuk është një mik i biznesit, ai është një kundërshtar, plani i të cilit është rritja e taksave që shkakton humbje të vendeve të punës. Dhe ai nuk ka një plan për të forcuar klimën e biznesit dhe për të krijuar pune, në të kundërt ai i ka bllokuar në cdo hap këto nisma. Përse biznesmenët duhet t’i marrin seriozisht sloganet e tij, kur si Kryebashkiak ai la 20 milionë euro detyrime të pashlyera ndaj tyre. Nëse ai ka biseduar me 5000 biznese sic pretendon, atëherë me siguri ka mësuar se taksa e sheshtë ka rritur numrin e bizneseve të vogla me 50 % dhe bizneset e mesme me 150%. Pra funksionon! Në vend të kësaj, z.Rama vazhdon rënien në gjendje të lirë në realitetin e tij, ku, pa zgjidhje konkrete, përvec rritjes së korrupsionit, ai në mënyrë magjike do të krijojë 300 mijë vende pune”, shkruan Partia Demokratike në “Facebook”.