TIRANË – Partia Demokratike i bëri thirrje sot sërish kreut të opozitës, Edi Rama të bëjë të ditur të dhënat mbi pallatin e bashkëshortes së tij. Sipas PD-së, Rama në shkelje me ligjin dha leje ndërtimi për pallatin e bashkëshortes, ndërsa anuloi lejen e ndërtimit për një familje tjetër.
“Partia Demokratike i kërkon Z. Rama të marrë të gjitha përgjegjësitë publike dhe të mos fshihet si frikacak për dy lejet e ndërtimit të firmosura prej tij, për interes familjar dhe në kundërshtim flagrant me ligjin, konflikt interesi dhe shkelje të rëndë të nenit 62 të ligjit të Urbanistikës, për ndërtimin e pallatit në pajë të gruas së tij, në vendin e ndaluar me ligj, në sheshin e pallateve. Jam këtu për të ftuar z Rama të mos fshihet, por të sqarojë publikun se përse ai duke shkelur nenin 62 për ligjin të Urbanistikës ia anuloi lejen e ndërtimit familjes Frashëri, për një ndërtesë që do të ndërtohej në mes të faqeve të dy pallateve dhe më vonë firmosi 2 leje për ndërtimin e pallatit në pajë të gruas së tij, vetëm 30 m2 më poshtë”,- tha zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.
Më tej ajo në emër të PD-së i kërkoi kryesocialistit Rama të bëjë të ditur koston e ndërtimit të banesës në malin e Dajtit.
“Partia Demokratike ju fton ju, Z. Rama të bëni publike fondet e ndërtimit, firmën e ndërtimit dhe faturat që ju paguani për ndërtimin e rezidencës suaj në malin e Dajtit. Zonja Rama në intervistën e saj me Z. Balla deklaroi se ju tokën truall për ndërtimin e vilës e keni blerë në vitin 2003, me 2 mijë lek të vjetra m2”,- tha Vorpsi.