Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend një projekt-rezolutë, me anë të së cilës deputetët dhe Kuvendi duhet të shprehin nderimin dhe mirënjohjen e thellë të Republikës së Shqipërisë për figurën e presidentit kosovar Ibrahim Rugova, në 10-vjetorin e vdekjes së tij.

Njëkohësisht, Partia Demokratike, në përkujtim të rolit dhe figurës së Rugovës, kërkon edhe vendosjen në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit të shtatores së ish-presidentit të Kosovës.

Në fakt, me iniciativën e Lulzim Bashës, kur ai ishte ende kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe me kontributet vullnetare të qytetarëve të Tiranës, që prej majit të vitit 2014 është realizuar dhe është gati shtatorja e Ibrahim Rugovës. Shtatorja është vepër e skulptorit durrsak Idriz Balani. Por, planet e Bashkisë së Tiranës për vendosjen e shtatores në një shesh përgjatë rrugës së mban emrin e Ibrahim Rugovës u penguan nga qeveria dhe tani shtatorja ka mbetur në atelie.