Pas mbledhjes urgjente të grupit parlamentar, e cila sapo është mbyllur, sekretari i përgjithshëm Arben Ristani ka deklaruar se "opozita dhe Partia Demokratike do të rrisin aksionin politik dhe jo vetëm, por edhe aksionin qytetar, sepse do të krijojmë një aksion të gjerë për Tiranën ku do t'i bëjmë thirrj​e të gjithë opinionit publik në Tiranë dhe shkallë kombëtare që të bashkohen me kauzën tonë, me kauzën e antikrimit, me kauzën e lirisë dhe bejetës me antikushtetuetshmërisë që po ndodh dhe ne duhet të ngrihemi të gjithë të bashkuar kundër kësaj anti të madhe që ka krijuar ky pushtet, për të realizuar atë që shqiptarët presin nga opozita në mënyrë që krijojmë një jetë më të mirë dhe më të denjë në këtë vend."

Mbledhja e grupit parlamentar u thirr nga kryetari i demokratëve Lulzim Basha pas protestës kundër ndërtimit tek parku i Liqenit Artificial dhe ndërhyrjes së Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit kundër protestuesve, ndërhyrje të cilën demokratët e kanë konsideruar si të dhunshme.

"Ju e shihni që çështja nuk është vetëm për betonizimin e Parkut të Liqenit. Kjo është një nga arsyet. Do të ketë protesta të vazhdueshme dhe siç e thashë do të krijohet një aleancë e gjerë me qytetarin, një aleancë e gjerë për Tiranën për t'u përshkallëzuar në të gjithë Shqipërinë, tha Ristani. – Të gjitha format demokratike janë ato që do të shfrytëzohen. Çështja është që të gjithë duhet të jemi të bindur që betonizimi i Parkut të Liqenit është një nga treguesit e paligjshmërisë së këtij pushteti, është një nga treguesit e antidemokracisë ashtu sikundër është shkelja e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç janë kriminalizimi i jetës politike dhe i administratës shtetërore. Pra janë të gjitha së bashku që duhet të na bindin që të të jemi të gjithë të bashkuar për t'ia dalë mbanë."