*Ish-ministri i PS-së, Agron Duka, çel fushatën për votat e demokratëve!  

Për herë të parë në 27 vjet demokraci, PD-ja e Durrësit nuk ka hapur asnjë zyrë elektorale për fushatën, që partitë e tjera konkurente kanë muaj që e kanë hapur. Në Durrës demokratët nuk kanë qenë asnjëherë më shumë se sot apatikë e pa një busull orientimi, ndërsa komandanti i PD-së lokale që duhet të ishte në ballë të udhëheqjes së fushatës ka braktisur anijen, për të qenë pjesë e komisionit të Vetingut.

Fushatë në Durrës po bëjnë vetëm PS-ja e LSI-ja, ndërsa fushata e të gjithë PD-së së Durrësit i është “varur në qafë” Agron Dukës, i cili është i pesti në listë, dhe rrezikon jo pak për të mbetur jashtë listës fituese, nëse nuk do të përpiqet fort për fitoren e tij.

Agron Duka ka nisur fushatën nga zonat rurale të Durrësit, Katund i Ri, Sukthi, Ishmi e Manza me hapjen e zyrave elektorale, por edhe ndërrimin e logove.

Duka i ka mbajtur të ngritura zyrat e tij elektorale në këto zona nën logon e PAA-së, partisë që përfaqëson në koalicion me PD-në, por me futjen e tij në listë të PD-së në vendin e pestë, në zyrat elektorale ka nisur të vendosë tabelat e PD-së.

Duka është i vetmi prej kandidatëve që po i thërret popullit demokrat të dalë në zgjedhje e të votojë, sepse asnjë prej kandidatëve të tjerë deri tani nuk iu është ndjerë zëri, e aq më pak të kenë hapur ndonjë zyrë elektorale nëpër qytet apo fshatra, e të shkojnë në bazë për të bërë fushatë.

Oerd Bylykbashi është duke përzgjedhur anëtarët e komisioneve për Vetingun, numri dy i listës Fatbardha Kadiu dhe Edi Paloka e Florjon Mima e konsiderojnë veten te fituesit e sigurt të listës së PD-së, duke i lënë të gjithë barrën e fushatës Agron Dukës, i cili shpreson që të marrë edhe vota të majtësh si ish-socialist i vjetër, ish-ministër i Bujqësisë në kohën e Fatos Nanos.

Në të tilla kushte, edhe PS edhe LSI në Durrës, garën e kanë vetëm me njëra-tjetrën, pasi PD është bërë për t’i shkuar në “ngushëllime”. Pas Agron Dukës, lista e PD-së, vijon me kandidatët Vullnet Topalli, i cili kërkon votat e demokratëve të Krujës e Fushë Krujës, me Enri Cenon e Shkëlqim Fortuzin, që shumë pak, për të thënë aspak, kanë shanset për të shkuar në parlament.

PS e LSI-ja kanë hyrë në çdo qelizë të Durrësit, duke kalkuluar matematikisht të gjithë votuesit e tyre potencialë, duke konkuruar ashpër për të marrë në kampet e tyre të pavendosurit e ata që nuk kanë votuar më herët.

PD, nuk është askund në Durrës, në antitezë me konkurentët e saj në fushën e betejës.

Në këto kushte, të parët në listën e sigurt nuk e çajnë më kokën, ata që vijojnë më pas po përpiqen. PD-në e Durrësit deri tani po e mban në këmbë Agron Duka!