Tiranë, 3 shtator 2014 – Kundrejt akuzave të Partisë Demokratike, në lidhje me emërimin e Rifat Çokaj në krye të Komisariatit të Policisë në Malësinë e Madhe, ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme, e cila bën me dije se Çokja ka punuar në Polici edhe gjatë kohës së qeverisjes së PD.
Kjo ministri hedh poshtë të gjitha akuzat e bëra në lidhje me drejtuesin e ri të Komisariatit të Policisë së Malësisë së Madhe, i cili, siç thotë MPB, ka një karrierë të gjatë dhe të vlerësuar në strukturat e Policisë së Shtetit.
“Ai ka punuar në Policinë e Shtetit edhe gjatë viteve të drejtimit të PD, 2005-2006. Është larguar nga Policia e Shtetit me kërkesën e tij, më datë 16.09.2006, kur mbante detyrën e specialistit të Drejtimit në Seksionin e Qendrës Operative dhe të Emergjencave. Është ripranuar në strukturat e Policisë së Shtetit, më 19.11.2013, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Më tej sqarohet se bazuar në Dëshminë e Penalitetit, Rifat Jakup Çokaj, rezulton i padënuar.
Me heret, deputeti demokrat Flamur Noka, denoncoi atë që e quajti emërimin e ish vrasësit në diktaturë si Shef Komisariati në Malësinë e Madhe. Noka bëri me dije se Rifat Çoku është emëruar shef komisariati në Malësinë e Madhe ndërsa qeveria është përpjekur që këtë emërim ta kalojë në heshtje.
Deputeti demokrat u shpreh se Rifat Çoku ka shërbyer si komisar në zonën kufitare gjatë kohës së diktaturës komuniste dhe në datën 2 tetor të vitit 1986, ai ka qenë pjesëmarrës në pushkatimin e të riut Sokol Veshti, të cilin e kishin ndaluar fillimisht në tentativën për të kaluar kufirin e më pas e ekzekutuan barbarisht.
“Në vitin 1996, Rifat Çoku u dënua me burg për krimin e genocidit nga Gjykata e Shkodrës, por pas trazirave te vitit 1997 doli shpejt nga burgu. Sot, Rifat Çoku ka rilindur nga oligarkia në pushtet, e cila komisarin e terrorit dhe vrasjeve e ka emëruar Shef Komisariati në Malësinë e madhe. Ky emërim tregon më së miri inkriminimin e përditshëm të policisë dhe shtetit , teksa sigurinë publike të qytetarëve të Malësisë së Madhe do e ketë në dorë një xhelat i diktaturës me bekimin e Ramës dhe Metës”,tha Noka.
Ai shtoi më tej se ky akt shpjegon më së miri se dyshja Rama- Meta qëndron pas vandalizimit të monumentit kundër dhunës së diktaturës komuniste në qendër të Tiranës, dhe prapa çdo akti tjetër që frymëzon e frymëzohet nga e kaluara e gjakatare e diktaturës komuniste në Shqipëri .
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





