TIRANE, 4 maj 2013– Kreu i këshillit bashkiak të Tiranës, Njazi Kosovrasti, deklaroi se nuk e njeh votimin e një dite më parë të këshillatreve të majtë për shkarkimin e tij. Ai e quajti mbledhjen për shkarkimin e tij jo legjitime.
"As mbledhje e Këshillit Bashkiak nuk ishte, as vendim nuk është. Ajo që ka ndodhur dje është e paligjshme në të gjitha drejtimet, qoftë në veprimtarinë e ushtruar nga sekretari i Këshillit Bashkiak. Po pregatitet denoncimi për tejkalim, për shpërdorim të detyrës së tij, qoftë edhe për vetë këshilltarët që në mënyrë të dhunshme tentuan të futen në ambjentet e bashkisë së Tiranës"- tha Kosovrasti.
Të njëjtin qëndrim mban edhe kreu i këshilltarëve demokratë, Ferdinant Poni. Në një intervistë për "AS", Poni thotë se nuk e njohin rezultatinin që del nga nje veprim jo ligjor.
"Veprimi i djeshëm është absolutisht i pavlefshëm. Kur të bëhet një mbledhje e ligjshme, nëse do bëhet sepse nuk e di se çfarë mendimi ka pala tjetër, le të ndiqen procedurat si kudo. Me votim të fshehtë duhet të shkarkohet një,pastaj po me votim të fshehtë duhet të ngarkohet dikush tjetër nëse do duhet. Deri tani të gjithë e dimë se kush është kryetar i këshillit Bashkiak të Tiranës. Ai e ka emrin Njazi Kosovrasti"- tha Poni
Sipas tij, në detyrë si kreu i këshillit bashkiak të kryeqytetit vijon të jetë Njazi Kosovrasti. Poni tha se të majtët duhet ta bënin kërkesën për shkarkimin e Kosovrastit sipas rregulit dhe pastaj ajo të votohej në mbledhjen e rradhës.
Të premten, këshilltarët e PS dhe LSI, në një mbledhje të zhvilluar në ambientet e bashkisë së Tiranës, pa praninë e demokratëve, votuan për shkarkimin e Njazi Kosovrastit, duke e zevendësuar atë me Aldrin Dalipin e PS.





