Partia Demokratike ka akuzuar sot shefin e Kapitanerisë së Portit të Durrësit, Artur Rrokaj, si njërin nga skafistët e 9 janarit 2004, përgjegjës për humbjen e 28 jetëve, i dënuar nga drejtësia për këtë krim.

Në një dalje për mediet nga selia blu, sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma, e cilësoi këtë rast si më të rëndin në galerinë e inkriminimit të Ramës, që ka emëruar persona me të shkuar kriminale në poste kyçe të administratës.

“A mund ta besoni se skafisti i 9 janarit, i një prej dramave më të mëdha të shqiptarëve në përpjekjen për të gjetur Europën, me Edi Ramën ruan portin e Durrësit, jep urdhra, largon anije, afron ngarkesa, komandon në Kapitanerinë më të madhe në vend.

Kjo ka ndodhur”, deklaroi Duma.

Ajo tha se shefi i Kapitanerisë ka ndërruar edhe emrin, e gjithashtu mund të gjendet edhe i quajtur si Arten.

“Mund ta gjeni edhe me emrin Arten, se e ka ndërruar. Por është i njëjti. Është përgjegjësi për 28 të jetët e humbura në ujin e ftohtë të janarit, të cilit Edi Rama i ka besuar Kapitanerinë e portit më të madh shqiptar.

Ky është pra shteti i Edi Ramës. Ky është pushteti që ai na instaluar në vend, me të inkriminuar, trafikantë, tutorë e vrasës”, përfundoi Duma.