Tiranë, 13 shtator 2014 – Partia Demokratike, përmes koordinatores për media, Silvi Bardhit, i ka rikujtuar edhe një herë kryeministrit Edi Rama premtimin e tij në lidhje me shkarkimin e çdo ministri që përfshihej në skandale. Sipas PD, i tillë është ministri Veliaj, ndaj kjo parti i kërkon kryeministrit Rama ta shkarkojë, nëse Veliaj nuk dorëhiqet.
“Media ka paraqitur fakte skandaloze. Erion Veliaj ka shkelur Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Kundër ligjit janë përgatitjet për skenën e dasmës në Kalanë që është një monument i kategorisë së parë dhe mbrohet nga UNESCO, por që u vu në dispozicion të dasmës qeveritare”, tha Bardhi.
Ajo e cilësoi si abuzim të pastër dhe skemë mashtrimi, që Geraldina Sposa, një shoqëri dasmash, ia faturon Bashkisë Gjirokastër këtë zijafet, si aktivitet kulturor. Sipas Partisë Demokratike, në kundërshtim të hapur me ligjin për konfliktin e interesit, në kushte korrupsioni, kompania e vajzës së deputetit Dashamir Peza, përfituese e fondeve publike për fushatat publicitare të Ministrisë së drejtuar nga Veliajt, ka organizuar edhe dasmën e tij të dytë, në shtëpinë e saj në Pezë.
“Abuzim dhe korrupsion ka kjo dasmë nga fillimi deri në fund. Qytetarët dhe mbarë opinioni publik janë të skandalizuar. Ndërkohë, Erion Veliaj hesht. Asnjë shpjegim për këtë korrupsion të veshur me vello e papijon. Përpjekja e tij për të censuruar median, e për të shantazhuar të rinjtë protestues me anë të policisë partiake, janë qershia mbi këtë tortë të madhe abuzimi, shpërdorimi, luksi e neverie publike”, tha ndër të tjera Silvi Bardhi.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





