Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar t’i shkojë deri në fund hetimeve të tenderëve të dyshuar korruptivë për të ndëshkuar zyrtarët dhe politikanët që janë të korruptuar.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, zëdhënësja e Partisë Demokratike Mirela Karabina dhe inxhineri Azmer Duleviç thanë se për PD është i domosdoshëm miratimi i një pakete ligjore kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar si për dënimin e korrupsionit, ashtu edhe për sekuestrimin e pasurive që vijnë nga këto afera.

“Open Data Albania ka publikuar renditjen e 100 tenderëve me vlera të larta të ofertës fituese të finalizuar me kontratë në vitin 2022.

Tetë nga dhjetë kontratat me vlerë më të madhe rezultojnë me “flamur të kuq” për procedurë të dyshimtë.

Në tenderët me vlerat me të larta, por me probleme në procedurë ku mbizotëron si autoritet prokurues ARRSH, fitues është shpallur ose operatori me ofertën më të lartë duke skualifikuar të gjithë të tjerët me ofertë më të ulët, ose gara është zhvilluar me një konkurrent të vetëm, ose procedurë e kufizuar mbi kufirin e lartë monetar duke shfaqur mungesë konkurrence”, deklaroi Karabina.

Sipas saj, “Partia Demokratike në betejën e saj në papajtueshmëri me korrupsionin po ndërton një aleancë gjithëpërfshirëse me të gjithë faktorët shoqërorë, për një sistemin politik dhe atë ekonomik.

Është i domosdoshëm miratimi i një pakete ligjore agresive kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar si për dënimin e korrupsionit, ashtu edhe për sekuestrimin e pasurive që vijnë nga këto afera”, tha Karabina.

“Partia Demokratike inkurajon dhe mbështet pa asnjë rezervë prokurorisë së Posaçme SPAK që t’i shkojnë deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve e politikanëve të korruptuar që po varfërojnë Shqipërinë.

Paratë që u janë vjedhur dhe vazhdojnë t’u vidhen shqiptarëve, duhet t’u kthehen! Fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe krimit në nivelet e larta është i vetmi fillim i vërtetë i ndryshimit të Shqipërisë”, përfundoi Karabina.

Inxhineri Duleviç denoncoi  atë që ai e cilësoi si keqpërdorim të fondeve publike nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka publikuar së fundmi në auditimin e kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar duke vënë në dukje se ARRSH nuk ka arritur të sigurojë përdorimin me efikasitet të parasë fondeve publike.

ARRSH nuk ka rritur eficiencën dhe efikasitetin e procedurave, nuk ka arritur të sigurojë mirëpërdorim të fondeve publike dhe ulje të shpenzimeve procedurale, nuk ka nxitur pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë si dhe nuk ka nxitur konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë për të gjitha procedurat e prokuruara”, tha Duleviç.