6 janar 2014- Deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani në një deklaratë për mediat ka akuzuar ministrin e Brendshëm Saj ir Tahirin se po gënjen veten me statistikat për treguesit e kriminalitetit. Ristani thekson se me qeverinë e re krimi është dyfishuar, ndërsa shton se Tahiri i redakton dhe i publikon ato.

"Dy ditë më parë, Ministri i Brendshëm,  recitoi publikisht  disa statistika për treguesit e kriminalitetit në vend për muajin dhjetor 2013, statistika që Ministri  i shkruan, i redakton, dhe i publikon ai vetë. Gënjen veten Ministri dhe Kryeministri i tij, kur përpiqen ti mbushin mendjen popullit se reforma e tyre në policinë e shtetit po e kthen këtë të fundit në institucion demokratik, transparent dhe në gjendje të parandalojë dhe luftojë krimin. Gënjen veten Ministri dhe Kryeministri i tij, kur përpiqen ti mbushin mendjen popullit se treguesit e kriminalitetit janë në rënie dhe për këtë flasin vetëm për muajin dhjetor dhe vetëm për natën e ndërrimit të viteve duke dhënë vetëm përqindje të pa lexueshme për të fshehur të vërtetën. Partia Demokratike thekson se kjo përpjekje, nuk e mbulon dot realitetin që po jetojmë cdo ditë, ku bombat dhe minat me telekomandë, rasti më i fundit kundër Kryetarit të PD, Pogradec, grabitjet, vjedhjet, aksidentet, dhe pasiguria e jetës janë shtuar ndjeshëm. Me Tahirin ministër, tashmë të gjithë e dinë se Policia e Shtetit u kthye në polici partiake duke zëvendësuar profesionistët me militantët, numëruesit dhe komisionerët e PS. Vetëm në ditët e fundit të dhjetorit kanë ndodhur 4 grabitje me armë shumë afër kryeqytetit, dhe asnjë autor nuk është  zbuluar nga policia.Krimi ka goditur policinë në detyrë  deri brenda në komisariat.

Qysh se Tahiri është bërë Ministër, është dyfishuar sasia e drogave të forta që shkon në vendet fqinje, Itali e Greqi nga Shqipëria.  Për t’u përballur me statistikat e manipuluara nga Tahiri po bëjmë prezent këtë të vërtetë të hidhur: Heroinë e sekuestruar në shtator – nëntor 2012 –  33 kilogram, në kohën e lavdishme të Tahirit 8 kilogram ose 4 herë më pak. Aksidente me pasojë vdekjen shtator – nëntor 2012 – 57, në kohën e lavdishme të Tahirit 83. Aksidente gjithsej, shtator – nëntor 2012 – 398, kundrejt 530 të ndodhura në kohën e lavdishme të ministrit Tahiri. 3 vrasje të pazbuluara në periudhën shtator – nëntor 2012 kundrejt 7 të pazbuluarave në kohën e Ministrit Tahiri. 8 aksione të përbashkëta të kryera me organizatat policore partnere ndërkombëtare, kundrejt 0 të kryera në kohën e Ministrit Tahiri.  Është dyfishuar numri i personave që trafikohen dhe emigrojnë në mënyrë të paligjshme në vendet e BE krahasuar me një vit më parë, duke vënë në rrezik integrimin europian dhe lëvizjen pa viza. Përsa i përket rekrutimit të policivë të rinj, realiteti është krejt tjetër nga sa paraqet Ministri.

Në fund të dhjetorit, një urdhër i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë ka hequr nga lista e pritjes rreth 500 kandidatë për policsë, të cilët i kanë fituar të gjitha fazat e konkursit të monitoruar nga ICITAP, dhe ishin në pritje të hapjes së vendeve të reja. Thirrja e Tahirit për aplikime deri më 20 janar, është demagogji dhe farsë, pasi është e qartë se rekrutimet do të bëhen nga zyrat e Partisë Socialiste sipas interesave të kësaj force politike për të vënë nën kontroll total policinë e shtetit. Ky është bilanci real i Ministrit Tahiri, dhe jo dokrrat që kërkon të përcjellë ai në publik duke grabitur të vërtetën nën petkun e festave të fundvitit njësoj si babagjyshët e rremë grabitën dyqanet", u shpreh Ristani.