Tiranë, 17 gusht 2014 –  Partia Demokratike ka denoncuar ditën e sotme heshtjen e kryeministrit Rama për skandalin e Sarandës ku sekretari i deputetit Koço Kokëdhima i kërkon një gruaje t'i japë vajzën 14-vjeçare për të kryer marrëdhënie seksuale në këmbim të një vendi pune. Në një deklaratë për mediat deputeti i kësaj partie Alban Zeneli theksoi se kryeministri hesht pasi është vet krijuesi i këtij sistemi.

“Inkriminimi i Parlamentit, dhe përdorimi i personave me precedent penalë si instrumente dhune ndaj opozitës, qëndron aty si një fakt skandaloz në politikën e vendit, sado të heshtë Edi Rama. U bënë 38 ditë që botërisht u mësua me fakte e me prova se Rama i ka hapur rrugën për në Kuvend krimit, dhe se ai vetë dirigjon përfaqësuesit e tij, në përpjekje për ti mbyllur gojën opozitës. Po prej 38 ditësh, Kryeministri që flet për gjithcka, nuk ka gjetur asnjë minutë kohë për një nga zhvillimet më të papranueshme në demokracinë tonë. Edi Rama hesht se ai është krijuesi i këtij sistemi, që ka për model trafikantët, që i promovon ata kudo.”– u shpreh Zeneli.

Më tej ai vijoi: “Njësoj hesht Edi Rama prej dy ditësh edhe për skandalin e Sarandës. Ciraku i Kokëdhimës që kërkon favore seksuale me të miturën, në këmbim të një vendi pune, është krijesë e sistemit që ka ngritur Edi Rama”. E gjtihë shoqëria është irrituar dhe ka ngritur zërin, për fëlligështinë që ndodh në zyrën e pushtetit, në zyrën e Partisë Socialiste. Vetëm Edi Rama hesht. Ai që cicëron për gjithcka, bën të paditurin për skandalet tronditëse që janë drejtpërdrejt përgjegjësi e abuzimit me pushtetin që bëjnë oligarkët e tij, në oligarkinë që ai ka ngritur". 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/