Partia Demokratike e Shqipërisë e drejtuar nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj, ka dhënë deklaratë për procesin e zgjedhjeve lokale në vend.

Shefja e komunikimit Mirela Karabina, në një deklaratë nga selia, u shpreh se ‘përtej klimës së tensionit dhe të parregullsive sipas traditës së politikës së vjetër, këto zgjedhje janë për shqiptarët, të cilët sot me pjesëmarrjen e tyre kanë mundësinë ti japin një leksion të shkuarës dhe të hedhim themelet e të ardhmes’.

Deklaratë e PD, Mirela Karabina:

Partia Demokratike po ndjek nga afër të gjithë problematikat që po shfaqen me procesin zgjedhor duke inkurajuar qytetarët që të dalin e të votojnë masivisht në këto orë të mbetura në mënyrë që të vendosin me botën e tyre për të ardhmen.

PD dënon me forcë çdo përpjekje për të manipuluar apo dëmtuar procesin e votimit.

Gjatë ditës në disa zona të vendit kemi denoncuar rastet kur Partia Socialiste ka kryer veprime që synojnë manipulimin e procesit të votimit si në rastin e Dimalit, ku denoncuam kryetaren e bashkisë që po firmos si mjeke ligjore vërtetime për personat me aftësi të kufizuar me qëllim votimin familjar, për të manipuluar votën e qytetarëve.

Po ashtu në bashkinë Finiq në derën e një prej qendrave të votimit po diktohet vota duke intimiduar qytetarët me flet votimit të plotësuara për PS në derën e QV.

Gjithashtu janë vërejtur shumë raste të pranisë se personave të pa aurtorizuar në qëndrat e votimit ku është ushtruar presion dhe intimidim ndaj votuesve, dhe mbi të gjitha problematika e pasijeve të identifikimit elektronik që ka cënuar rëndë procesin e votimit.

Por pavarësisht të gjithë këtyre problematikave ne apelojmë qytetarëty shqiptarë me të drejtë vote që të dalin sa më shumë e të votojnë për veten e tyre, të ardhmen e tyre.

Përtej klimës së tensionit dhe të parregullsive sipas traditës së politikës së vjetër, këto zgjedhje janë për shqiptarët, të cilët sot me pjesëmarrjen e tyre kanë mundësinë ti japin një leksion të shkuarës dhe të hedhim themelet e të ardhmes

Vetëm duke votuar, marrim të ardhmen tonë në dorë.