Tiranë, 1 mars 2014 – Në një deklaratë për shtyp ditën e sotme, Partia Demokratike e konsideroi të rëndë gjendjen e kriminalitetit në vend. Përmes deputetit Arben Ristani, selia blu kërkoi marrjen e masave për rivendosjen e rendit dhe sigurisë publike. “Është koha për një mobilizim të të gjithë faktorëve politikë dhe social kundër krimit. Shteti duket sikur nuk ekziston në raport me krimin. Tirana është nën një tronditje të vazhdueshme për shkak të atentateve me tritol që po lënë të vdekur e të gjymtuar. Tirana është nën pasigurinë e grabitjeve, ku vetëm dje kanë rënë pre e maskave të armatosura një koncesionar makinash e një pikë karburanti” – tha Ristani.
Më tej deputeti demokrat akuzoi qeverinë dhe konkretisht ministrin Tahiri dhe kryeministrin Rama për lidhje të forta me trafikantët e drogës. Sipas Ristanit, droga e kapur në Itali e ka origjinën nga Shqipëria dhe është lejuar të trafikohet nga ‘policia e Tahirit’.
“Partia Demokratike ka një javë që ka publikuar fakte dhe foto që tregojnë lidhjet e forta të trafikantëve të drogës me Ministrin e Brendshëm dhe me Kryeministrin. Asnjë reagim nga shefat e tyre qeveritarë. Përgjigja vjen nga Italia dhe Greqia ku droga me origjinë shqiptare po sulmon përditë kufijtë e tyre. 2 tonë marijuanë janë kapur dje në brigjet e shtetit fqinj. Bëhet fjalë për dy tonë dhe disa trafikantë shqiptarë që janë lejuar nga policia e Saimir Tahirit, ta mbledhin marijuanën, ta paketojnë dhe ta transportojnë në territorin tonë, drejt Italisë” – deklaroi Ristani.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





