DURRËS, 24 shkurt 2014 – Presidenti i Republikës Bujar Nishani, që kryeson edhe KLD-në, zbatoi urdhrin e partisë (Demokratike) kundër bashkëqytetares së vet Ina Haxhi Violeta Rama. Sipas njoftimit për shtyp të KLD-së, “nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Z. Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, më datë 24.2.2014, zhvilloi mbledhjen e radhës (foto arkiv)… Seanca plenare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vijoi me shqyrtimin e kërkesës së zj. Ina Rama, ish-Prokurore e Përgjithshme e Republikës, për t’u emëruar në detyrën e gjyqtares së gjykatës së Apelit në gjykatën e Tiranës. Pas diskutimeve, anëtarët e KLD-së vendosën me shumicë votash të rrëzojnë kërkesën, me arsyetimin se duke qenë se zj. Ina Rama ka qenë gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda dhe jo në Gjykatën e Apelit Tiranë, për t’u emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ajo duhet t’u nënshtrohet procedurave të konkurrimit, së bashku me kandidatët e tjerë pretendentë për në atë gjykatë” (qortimi gjuhësor është i “Dyrrah”-ut). Dihet që ish-Kryeministri Sali Berisha dhe PD-ja e kanë sulmuar me gjuhë vulgare ish-Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. Nishani, ish-ministër i Berishës dhe në kryesinë e partisë, në rastin e Ramës, bashkëqytetares së vet, i është bindur urdhrit partiak. Bie në sy fakti që edhe durrsaku tjetër, Gjergj Lezhja, këshilltar i Presidentit të Republikës për çështje të sigurisë kombëtare që prej 16 shtatorit 2013, ish-sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave në kohën e Berishës, ish-shef i personelit dhe organizimit pranë PDSH-së, është kundër bashkëqytetares, ka gjasa, jo me vullnetin e tij.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/