TIRANË, 27 prill 2013 – Në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi reagoi ndaj deklaratave të sotme të kreut socialist Edi Rama në Vlorë.

Duke renditur investimet e realizuara në qytetin bregdetar gjatë qeverisë Berisha Vorpsi tha se deklaratat e Ramës paraqesin një Vlorë të gënjeshtërt.

"Vlora e sotme e Edi Ramës është Vlora e gënjeshtërt, sepse ajo ka një port dy herë më të madh se në kohën kur qeverisnin socialistët. Madje, vetëm pak kilometra nga Vlora e izoluar është dhe një port jahtesh ku janë parkuar edhe jahtet e disa deputetëve të tij", deklaroi zëdhënësja e PD-së. 

Në të njëjtën kohë, Vorpsi theksoi se investimet e qeverisë Berisha në infrastrukturë rrugore, në ujësjellësa e kanalizime, në rrjetin energjetik, shkolla, spitale në rrethin e Vlorës janë mbi 600 milionë euro ose 6 herë më shumë se qeveritë socialiste.

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/