Në një bashkëbisedim me gazetarët, deputetja demokrate Albana Vokshi ka akuzuar qeverinë për premtimet e pambajtura, para së gjithash në sektorin e shëndetësisë. Sipas saj, koncesionet që janë dhënë në shëndetësi janë të gjitha abuzive. "Ne nuk kemi bërë premtime që më pas nuk i mbanim. Në këto vite qeverisje të socialistëve, duhet të kishim parë një përmirësim të ndjeshëm në qendrat shëndetësore, por paratë publike kanë shkuar në duar të klientëve dhe miqve të qeveritarëve dhe ministrit të shëndetësisë," – tha deputetja e Partise Demokratike.
Vokshi tha se në vend që të jepeshin 120 milionë euro për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë bëri një tender për 'check up' falas, duke ia dhënë paratë Vilma Nushit që, sipas demokratëve, është e lidhur me pushtetin. "Analizat që merren nga Tropoja sillen bashkë me mbetjet spitalore, pra në një makinë të vetme. Në vend të që bënte 'check up' dhe t’i jepte Vilmës 120 milionë euro, me shumë pak mund të rikonstruktoheshin pajisjet e qendrave shëndetësore dhe stafi i qendrave shëndetësore dhe 'check up' do të ishte shumë më i suksesshëm." – tha Vokshi.
Ajo më pas shprehu keqardhjen e saj për vdekjen e vogëlushit Kristi Maze, i cili ndërroi jetë pas operacionit në mëlçi në një spital të Bergamos, duke theksuar se "ndërhyrja e shtetit në kohë do t’ia kishte shpëtuar jetën."





