Partia Demokratike ka vijuar akuzat në drejtim të kryeministri Edi Rama dhe ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj. Deputetja demokrate Albana Vokshi deklaroi se është vjedhur haptazi me tenderin për shërbimin check-up.

“Edi Rama, jo vetëm i dha 120 miljonë euro mikes dhe bamirëses së tij, Vilma Nushi, me tenderin e check-up, por po e thellon akoma edhe më shumë korrupsionin, duke i rregulluar faturat që ajo t’i marrë shumat e plota, edhe pse shërbimi nuk ofrohet, – deklaroi deputetja Vokshi. – Sipas kësaj shume, 5 miliardë e 554 milionë lekë, i bie që qenkan kontrolluar 318 mijë persona, duke e ditur se kostoja për një person është 17 mijë lekë. Por, sipas të dhënave zyrtare nga institucionet shëndetësore shtetërore, numri i të kontrolluarve është 216 mijë persona… Pra, Edi i ka dhënë Vilmës para sikur e kanë bërë check-up 318 mijë persona, 1 miliardë e 700 milionë lekë më shumë se sa shërbimi që ka ofruar.”